image Ligji për Paga - dritë në fund të tunelit për gjyqtarët dhe prokurorët, së shpejti shkon në Kuvend

Politikë

Ligji për Paga – dritë në fund të tunelit për gjyqtarët dhe prokurorët, së shpejti shkon në Kuvend

news image

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 23 nëntorit, miratoi Projektligjin për paga në sektorin publik. Sipas kryeministrit Albin Kurti, ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave. Pas miratimit në Qeveri hapi i radhës i këtij projektligji është dërgimi në Kuvend për miratim, shkruan Gazeta Sinjali.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20.

Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin.

Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Së fundi, ky projektligj është bërë kryefjala në sektorin publik dhe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë të pozitës dhe opozitës, bëjnë të ditur për Gazetën Sinjali se shumë shpejt pritet që Ligji për Paga të dërgohet në Kuvend për miratim, përmes tij pritet që të rregullohen pagat në sektorin publik e në theks të veçantë në sektorin e drejtësisë.

Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë u bë kryefjala e kësaj jave pasi kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 23 nëntorit, shfuqizoi vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj  të marrë më 2017, duke kthyer pagat në sistemin e drejtësisë siç ishin para rritjes.

Sipas Kurtit, vendimi ishte marrë paligjshëm dhe në konflikt-interesi në vitin 2017, nga qeveria e kaluar.

Megjithatë, pagat me ulje nuk do t’i marrin për një kohë të gjatë gjyqtarët dhe prokurorët.

Sinjali përmes burimeve të veta mëson se në Ligjin për Paga parashihet që të ketë rritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Taktikat e Kurtit për ulje e më pas ngritje të pagave

Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, u rritën edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas llogaritjes, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, gjyqtarët paguheshin 2 mijë e 129 euro NETO Kurse, sipsa vendimit të 23 nëntorit, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak.

Në sistemin prokurorial, pas rritjes së pagave nga Haradinaj, një prokuror është paguar 25 mijë euro. Ndërsa, me vendimin e ri, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Kalkulimi i Kurtit, sipas burimeve të Sinjalit qëndron fillimisht te ulja e pagës e më pas ngritjes së saj përmes Ligjit për Paga.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), vendosi që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës

Këto vendime janë marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme ku kanë qenë prezentë edhe kryetarët e gjykatave.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – ka reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.

Duke u bazuar në pagat e vitit 2014-të, paga mesatare mujore e punëtorëve të sistemit të drejtësisë arrin në deri 2.200 euro, mirëpo me vendimin e ri, ato do të jenë 1 mijë euro më pak.

/GazetaSinjali/