image Ligjet e Kosovës pengojnë lirimin e të burgosurve për shkak të koronavirusit

Siguri

Siguri/ Ligjet e Kosovës pengojnë lirimin e të burgosurve për shkak të koronavirusit

news image

Frika nga përhapja e koronavirusit nëpër burgje, ka detyruar autoritetet në shtete të ndryshme të botës, të lirojnë një numër të të burgosurve, edhe pse në disa raste, me masa të ndryshme kufizimesh.

Autoritetet e Kosovës nuk bëjnë përjashtim, të paktën në raport me planet e veprimit, në rast se paraqiten raste të COVID-19 nëpër qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë, se ajo personalisht është në favor të një vendimi të mundshëm, që të burgosurit të lirohen përkohësisht nga burgjet. Megjithatë, ajo thotë se një vendim i këtillë, u takon gjykatave.

Që prej shpërthimit të pandemisë, Haxhiu tha se ministria që ajo drejton ka kërkuar nga gjykatat që të pezullojnë përkohësisht dënimet për personat, të cilët janë gjetur të fajshëm, e për të cilët ende nuk është shqiptuar masa e dënimit.Kërkesë të ngjashme, thotë ajo, ka pasur edhe për ata persona, të cilët vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike, e të cilët janë në burg.

“Mendoj se gjykatat duhet ta kenë, si të themi, ndjeshmërinë në ketë drejtim, sepse askush nuk po flet për lirimin e tyre nga vuajtja e dënimit, por për pezullim të përkohshëm. Dhe këta persona, pasi të kalojë kjo periudhë e ndjeshme, duhet të detyrohen të kthehen në qendrat korrektuese”, tha ajo.

Mbi 1,700 të paraburgosur e të dënuar janë në burgjet e Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skender Çoçaj tha për Radion Evropa e Lirë, se Këshilli dhe gjykatat duhet të veprojnë, duke respektuar ligjet.

Po, çka nëse ligjet nuk parashohin situata të këtilla?

“Aty ku vlerësojmë se ka bazë ligjore, besoj se do të lirohen, mirëpo, Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat nuk e kanë të drejtën me ligj, që të marrin një vendim të caktuar dhe të lirojnë një masë njerëzish nga burgu apo paraburgu. Nuk kemi të drejtë dhe nuk na lejon ligji të veprojmë ndryshe”, tha Çoçaj.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim më Këshillin Gjyqësor dhe gjykatat, duhet të marrin vendime, në raport me rrethanat e reja që mund të vijnë si rezultat i pandemisë në burgjet e Kosovës.

“Nëse do të kemi një përhapje të kësaj pandemie dhe mund të vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i personave të cilët gjenden në burgjet e Kosovës, atëherë Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues, në bashkëpunim me kryetarët e Gjykatave Themelore respektive duhet të bëjnë një plan dhe të marrin vendime, të cilat mund të parandalojnë cenimin e shëndetit të burgosurve”, tha Miftaraj.Miftaraj thotë se në rast se do të ketë vendime për lirimin e përkohshëm të personave të burgosur për shkak të COvid-19, duhet të jenë rastet për persona që nuk kanë kryer krime të renda.

“Po flas për ata persona që kanë bërë veprat penale që ndoshta janë me të lehta dhe që lirimi i tyre nuk e rrezikojnë jetën e të tjerëve në liri”, tha Miftaraj.

Shërbimi Korrektuesi i Kosovës tashmë ka një plan operativ “Corona-Virus”, sipas të cilit thuhet se realizon një sërë masash që kanë për synim parandalimin e pandemisë.

Autoritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë bërë të ditur se deri tani, në të gjitha burgjet, nuk ka asnjë rast të konstatuar me COVID-19 nga radhët e të burgosurve.

Testimin e tyre e ka realizuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 125 persona të prekur dhe një i vdekur me koronavirus.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje./Gazeta Sinjali/