Udhëheqësit politikë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor këtë të diel pritet të takohen në Bruksel.
Ka qenë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i cili disa ditë më parë vendosi datën 16 shkurt për t’u mbledhur në një takim joformal me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të BE-së.
Po ashtu në këtë takim priten të jenë edhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell.
Takimi në formën e darkës së punës është thirrur në kuadër të përgatitjeve për samitin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor më 6 maj në Zagreb.
Kujtojmë se ky takim mbahet para konferencës së donatorëve (e hënë 17 shkurt) në Bruksel për të dhuruar fond e për fazën e rindërtimit në Shqipëri pas dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur optimist se në këtë konferencë do të mblidhet një shumë e përafërt me dëmet e shkaktuar nga tërmeti. /Gazeta Sinjali/