Këshilli Evropian sot nis procedurat që mund të çojnë në një vendim formal për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çështja e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës do të jetë sot në rend dite në diskutimin e parë të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kjo është konfirmuar nga Zyra e Qeverisë së Çekisë e cila kryeson Presidencën e BE-së.
“Qeveria e Çekisë e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian ka vendosur për diskutim në rend dite, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e grupit punues që mbahet më 12 tetor dhe më 13 tetor. Tema liberalizimit të vizave do të diskutohet më 13 tetor”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë çeke.
Diskutimit për temën e liberalizmit të vizave për Kosovën, i ka paraprirë publikimi i djeshëm i Raportit të Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, ku vet Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë prezantimit të Pakos së Zgjerimit, ka ritheksuar dhe rikonfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Raporti tregon se Kosova ka bërë përpjekje për forcim të demokracisë, rendit e ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Por, aty kritikohet puna e Kuvendit, e cila sipas raportit ka vazhduar të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike.
Në potencohet se thuhet se nuk është arritur ende përparim konkret në dialogun Kosovë – Serbi.
KE-ja kërkon nga palët e përfshira që të angazhohen në mënyrë konstruktive pa vonesë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme.
Gjatë pranimit të këtij raporti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme tha që është optimist për liberalizmin e vizave.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian pati vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo pati vënë kusht për finalizim të procesit që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.
Më pas më 2018, Komisioni Evropian pati konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe pati propozuar liberalizim.
Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se ky proces “duhet të finalizohet brenda disa muajve”.
Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për bartësit e pasaportave biometrike të Kosovë.
Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.