Personat e komunitetit LGBTQI+ kanë kërkuar të drejta të barabarta sikurse të gjithë qytetarët e tjerë në Kosovë, duke përmendur edhe kalimin e Kodit Civil në Parlament.
Këto kërkesa u artikuluan në ceremoninë e hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë që u mbajt në ndërtesën qeveritare.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Liri dhe Barazi, Blert Morina, që tha se shteti duhet të punojë më shumë për të siguruar të drejta për të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.
Duke kujtuar debatin për Kodin Civil, i cili nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, Morina deklaroi se janë fyer nga deputetë që e kundërshtojnë kodin.
“Na thanë e çka s’na thanë se ne shkatërrojmë familjet, se ne jemi kundër traditave, se ne jemi të sëmurë, se ne jemi kërcënim për moralin e shëndetin publik, se ne nuk mund të rrisim fëmijë, ose nëse rrisim fëmijë, do rrisim fëmijë që nuk bëjnë. Po të mos ishte tragjike absurditeti dhe niveli i smirës dhe urrejtjes që u shfaqen në Parlament, do të ishin qesharake, ndoshta një ditë edhe do të qeshim që mundësinë tonë për të dashur e shohin si kërcënim të shëndetit publik, ama sot nuk po na qeshet”, tha Morina.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeff Hovenier, i cili mori pjesë në cermeoni, deklaroi se inkurajojnë Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të siguruar mbrojtje ligjore, mbrojtje shoqërore për të gjitha grupet e nënpërfaqësuara, përfshirë komunitetin LGBTQI+.
“Ne jemi thellësisht të impresionuar nga qëndrueshmëria e komunitetit LGBTQI+ këtu në Kosovë, të cilët vazhdojnë të luftojnë për të jetuar jetën e tyre autentike, për të jetuar gjithashtu në liri, të cilët përballen me diskriminimin, margjinalizimin dhe sigurinë, e megjithatë vazhdojnë ditë pas dite të ngrihen me guxim për këtë të vërtetë, sepse të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut”, tha Hovenier.
Java e Krenarisë në Kosovë do të shënohet me aktivitete të shumta.