Robert Lewandowski e ka mbyllur etapën e tij te Barcelona dhe tashmë duhet të gjejë një destinacion të ri.
Sulmuesi polak ka marrë një propozim për një kontratë me pagë rreth 20 milionë euro në sezon, plus bonuse, sipas gazetarit polak Tomasz Wlodarczyk, i cili konsiderohet shumë pranë Lewandowskit. Polaku largohet nga Barcelona pas shënimit të 120 golave me fanellën e klubit katalanas.
Megjithatë, oferta në fjalë nuk ka ardhur drejtpërdrejt dhe zyrtarisht nga Fenerbahçe. Ajo është bërë nga Hakan Safi, një prej kandidatëve për postin e presidentit të klubit turk në zgjedhjet që do të mbahen më 6 dhe 7 qershor.
Sipas informacionit të publikuar, Safi i ka dërguar Lewandowskit një ofertë formale si pjesë e projektit të tij elektoral. Sipërmarrësi synon të sfidojë Aziz Yildirimin, i cili gjithashtu është në garë në këtë proces zgjedhor. Fushata elektorale te Fenerbahçe është karakterizuar nga premtime ambicioze për rikthimin e klubit në majën e futbollit turk, ndërsa transferimi i mundshëm i Lewandowskit është shndërruar në një nga argumentet kryesore të Safit për të fituar mbështetjen e anëtarëve të klubit.
Gjithsesi, operacioni mbetet larg konkretizimit. Sipas të njëjtave burime, nuk ka ende deklarata të qarta apo një qëndrim përfundimtar nga ana e sulmuesit lidhur me këtë propozim. Për më tepër, çdo lëvizje pritet të analizohet me kujdes deri në përfundimin e procesit elektoral.
Pasi të mësohet emri i fituesit të zgjedhjeve, oferta do të shqyrtohet së bashku me propozimet e tjera që Robert Lewandowski pritet të marrë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!