Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin e kësaj partie, Besnik Bislimin, janë takuar mbrëmë me deputetët gjerman që po qëndrojnë në vend për të diskutuar për koalicionin VV – LDK.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Bislimi, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.
“Bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, mbrëmë në rezidencën gjermane patëm një takim shumë konstruktiv me deputetët e Bundestagut Gjerman dhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, z. Peter Bayer dhe z. Christian Shmidt si dhe me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt”, ka thënë fillimisht ai.
Më tutje, Bislimi ka treguar se deputetët gjermanë janë interesuar për rrjedhën e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës.
“U potencua nga të dy palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor, në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, përfundon Bislimi.
Kujtojmë se sot në orët e para të mëngjesit deputetët gjermanë janë takuar edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Të njëjtit pritet të dalin në një konferencë për media në orën 11:00./Gazeta Sinjali/