image Letra e dërguar nga ministri Bytyqi, reagojnë rektorët e universiteteve publike

Kosovë

Komunikata/ Letra e dërguar nga ministri Bytyqi, reagojnë rektorët e universiteteve publike

news image

Rektorët e universiteteve publike në Kosovë kanë reaguar ndaj letrës që ministri në largim i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi ia ka dërguar rektorit të Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktarit.

Përmes një letre zyrtare, ministri Bytyqi e quajti Bajraktarin të ndyrë, shantazhues dhe të paudhë, duke kaluar në rrafsh personal, pasi pretendon se ky i fundit kishte tejkaluar kompetencat e tij duke kërkuar CV-të e tre anëtarëvë të emëruar nga ministri arsimit dhe planin strategjik para konsolidimit të organeve të Këshillit Drejtues, shkruan Gazeta Sinjali.

 “Çuditem ku e merrni këtë guxim dhe me ç’bazë veproni kaq jashtëligjshëm, apo udhëhiqeni nga qëllime tjera, mbase edhe meskine, në tërë këtë paudhesi tënden! Përmes kësaj shkrese dua t’ua bëjë me dije se jeni në shkelje të ligjit dhe nuk jeni as në të drejtën tuaj për sa i takon autoritetit që të jep petku i Rektorit dhe as nuk keni kompetenca të tilla”, shkruhet në letrën e Shyqri Bytyqit.

Ai nuk ka heziturar ta quaj të ndyrë rektorin e Universitetit të Ferizajt.

“Sa i përket fjalorit tuaj pa etikë para KD për Ministrin, populli thotë “i ndyeri ndynë”! Për këtë të fundit shihemi në gjykatë!”, ka thënë Bytyqi.

Duke publikuar shkresën e ministrit, rektorët e kanë cilësuar si kërcënim gjuhën e përdorur të Bytyqit

“Rektorët njëzëri kanë shprehur indinjatë të thellë për gjuhën kërcënuese, shantazuese dhe pa etikë të ministrit të MASHT, Shyqiri Bytyqi, në shkresën me numër 195/01B drejtuar rekotrit  të UShAF, Prof.Dr. Agron Bajraktari”, thuhet në një komunikatë për media.

Në komunikatën e lëshuar nga rektorët thuhet se shkresa e ministrit Bytyqi dërguar rektorit të Universitetit të Ferizajt është për keqardhje dhe sipas tyre është dëshmi se sa kanë degraduar politikat arsimore në Qeverinë e Kosovës dhe “sa kanë devijuar partitë politike në trajtimin e arsimit të kuadrove të arsimit”.

“Konferenca e Rektorëve thekson faktin se kjo nuk është hera e parë që ministri  tejkalon kompetencat e veta, duke ndërhyrë në autonominë e universiteteve publike. Prej se është zgjedhur ministër z.Bytyqi ka udhëhequr një politikë institucionale e jo institucionale kundër universiteteve publike”, thuhet në reagim.

“I garantojmë të gjithë hisedarët e arsimit të lartë, sidomos studentët, profesorët dhe administratën e universiteteve publike, por edhe hisedarët e tjerë jashtë universiteteve, se asnjë politike dashakeqe e asnjë ministri nuk do të mund të dëmtojë autonominë e universiteteve publike dhe lirinë akademike, të garantuar me ligj”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Më 10 shtator, Bytyqi i kishte emëruar Samet Dalipin, Shaqir Ukshinin dhe Fitore Nezirin anëtarë në bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara. /Gazeta Sinjali/