image Leposaviq: Tentim për plaçkitje të Bankës Kombëtare të Serbisë

Siguri

Leposaviq: Tentim për plaçkitje të Bankës Kombëtare të Serbisë

news image

Të enjten në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, është tentuar të plaçkitet ndërtesa e Bankës Kombëtare të Serbisë, dhe për pasojë është plagosur një person.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes, në këtë incident janë përdorur armë zjarri.

Policia e Kosovës është raportuar se nuk ka qenë në vendngjarje as gjysmë ore pas incidentit.

Aty më pas kanë mbërritur pjesëtarët e EULEX-it, misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Policia e Kosovës është instanca e parë intervenuese për sigurinë, EULEX-i i dyti dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i treti.

Sipas informatave të qendrës shëndetësore lokale, në këtë incident ka mbetur i plagosur një punonjës i kompanisë Henderson, e cila transporton para për nevojat e bankave.

Pjesëtarët serbë që kanë punuar në Policinë e Kosovës, e kanë braktisur këtë institucion në fillim të nëntorit, si shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Përveç Policisë së Kosovës, serbët lokalë kanë braktisur edhe institucionet tjera lokale dhe qendrore në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se një vendim i tillë ka krijuar vakum që mund të përkeqësojë situatën e sigurisë.

Për incidentin në Leposaviq raportohet dy ditë pas shkatërrimit të objekteve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, komuna po ashtu të banuara me shumicë serbe.

Zgjedhjet për komunat veriore janë caktuar për 18 dhjetor.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë shpallur pasi kryetarët e tyre kanë dhënë po ashtu dorëheqje për shkak të vendimit për targat.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.

/GazetaSinjali/