Dje, legjenda e futbollit kroat, Davor Suker ka marr çmimin “Fadil Vokrri i Artë” në Prishtinë. Suker nuk e la pa komentuar edhe sukseset e Kombëtares së Kosovës në futboll.
Suker ka thënë se është i mahnitur me paraqitjet e Kosovës, por ka këshilluar që Kosova të qëndrojë “me këmbë në tokë”.
“Jam i mahnitur me paraqitjet e ekipit tuaj, por ju duhet të qëndroni me këmbë në tokë, të luani me qetësi dhe të mos bëni shumë zhurmë, sepse derisa të tjerët mendojnë që Kosova është vend i vogël dhe nuk ju njohin shumë si rival do të keni gjasa më të mëdha për sukses. Nëse do të mund të shtypja një sustë, atëherë menjëherë do ta shtypja që Kosova të jetë pjesë e Evropianit dhe e Botërorit, por do t’ju këshilloja që sa më shumë të investoni në fëmijë prej 10 deri në 21 vjeç”.
“95 përqind të lojtarëve tanë që kanë luajtur në finalen e Botërorit në Rusi kanë kaluar nëpër të gjitha ekipet kombëtare të grupmoshave. Nuk ka opsion tjetër, përveç punës me fëmijë dhe përkushtimit 24 orë në futboll. Nuk është i rëndësishëm vetëm trajneri i Kombëtares A, por edhe të gjithë trajnerët e grupmoshave sepse kemi të bëjmë me projekt 10-vjeçar për sukses. Federata jonë ka 200 ndeshje në vit, këtu numëroj edhe futbollin e femrave edhe futsallin dhe të grupmoshave, prandaj është e rëndësishme që Kombëtarja A duhet të ketë mundësi përzgjedhjeje. Në fund, duhet ta dini se janë vetëm 10 ndeshje që i kthejnë paratë, derisa 190 ndeshje janë vetëm harxhime, por pa këto investime nuk mund të ketë Kombëtare A të suksesshme”, ka theksuar më tutje Suker.