image “Lavire.. të mbys”/ Djali 19-vjeçar nga Peja kërcënon nënën, e kap për fyti

Siguri

“Lavire.. të mbys”/ Djali 19-vjeçar nga Peja kërcënon nënën, e kap për fyti

news image

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët  e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku një 19-vjeçar dyshohet se ka kanosur seriozisht nënën e tij, ndaj të cilës ka ushtruar edhe dhunë.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë ku ata jetojnë, e ku i dyshuari e ka kërcënuar me vrasje nënën, duke i thënë edhe “lavire” e fjalë të tjera, derisa në një moment e ka kapur për fyti.

Përballë kësaj situate, gruaja e frikësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer se motivi dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje momentale.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’. Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/GazetaSinjali/