Në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të saj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizon një gamë aktivitetesh me aktorë relevantë për të diskutuar dhe shkëmbyer praktikat më të mira dhe për të përmirësuar shërbimet në të ardhmen.
QKRMT përpiqet në vazhdimësi që t’i ndihmojë të mbijetuarit e torturës përmes shërbimeve rehabilituese, mjekësore e psiko-sociale, si dhe sigurimin e qasjes në drejtësi.
Paraditen e sotme organizohet konferencë ku do të marrë pjesë edhe Dr. Denis Mukwege, gjinekolog, aktivist i të drejtave të njeriut dhe Laureat i Çmimit Nobel për Paqe 2018 nga Republika Demokratike e Kongos.
Ai do të mbajë fjalimin kryesor me temën “Gjendja e të mbijetuarve të dhunës seksuale në rrafshin global”.
Më pas do të ketë edhe një diskutim në panel ku përpos Dr. Denis Mukwege, do të jenë edhe Vasfije Krasniqi-Goodman, Dalal Ali Khairo dhe Sophie Mattew Obur Ayang.
Panelistët do të trajtojnë tema të rëndësishme dhe të ndjeshme, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe qasjen në reparacione, stigmë që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale, qasjet institucionale si dhe luftimin e mosndëshkimit.
Duke shkëmbyer ide dhe ekspertizë, përmes kësaj konference, QKRMT synon të forcojë dhe profesionalizojë punën dhe programet e saj, si dhe të promovojë diskutimin, mësimin e ndërsjellë dhe rrjetëzimin midis pjesëmarrësve.