Nga gjithsej 53 të infektuar me koronavirus në Komunën e Vitisë, 44 prej tyre janë shëruar, ndërsa personat aktiv pritet të ritestohen, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haiti, i cili potensoi se nuk ka më raste të reja në këtë komunë.
Ai shtoi se prej përhapjes së këtij virusi e deri me tani janë bërë 200 testime për Covid-19.
“Përsëri kemi lajme të mira për qytetarët vitias që numri i të shëruarave nga virusi COVID-19 është duke shkuar në rritje. Urojë që pas ritestimeve ky numër të rrite edhe më shumë dhe të ju kthehemi normalitetit”, tha ai gjatë një takimi me Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH).
Më tej, ai shtoi se ka pranuar ankesa nga qytetarët dhe bizneset të cilët për shkak të masave të pandemisë nuk mund të punojnë, por potencoi se ka kërkuar mirëkuptimin dhe durimin e qytetarëve.
Kryetari Haliti tha se duke e ditur gjendjen e vështirësuar financiare të qytetarëve vitias nga gjendja e pandemisë, KKMSH ka bashkëpunuar ngushtë me donatorë të ndryshëm që të iu ofrojë qytetarëve në nevojë pako me materiale higjiene dhe ushqimore./GazetaSinjali/