Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka njoftuar se 11 raste nga Mitrovica, të cilët janë testuar dje për koronavirus, kanë rezultuar negativ, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nga 11 raste prej Mitrovicës që janë derguan dje për testim nga koronavirusi COVID-19, fatmirësisht të gjitha kanë rezultuar negativ. Pas Vushtrrisë, Zveçanit, komunës veriore të Mitrovicës, nga dje Mitrovica jugut kufizohet edhe me Skenderajn si komunë ku janë evidentuar raste me COVID-19”, ka shkruar Bahtiri në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Tutje, ai ka kërkuar urgjentisht nga ministri Vitia që të karantinojë edhe Mitrovicën, në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.
“Për shkak të kësaj situate që gjendemi të rrethuara me komuna ku ka shumë raste me COVID-19, për ta mbrojtur edhe më shumë qytetin tonë kërkoj urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Shëndetisë, z. Arben Vitia që të merr vendim për ta aplikuar masën e karantinimit edhe për qytetin e Mitrovicës”, ka shkruar ndër të tjera kryetari Bahtiri./GazetaSinjali/