image Lajçak s’i ndalë vizitat – Kosovën e Serbinë i pret në tryezë plani franko-gjerman

Politikë

Lajçak s’i ndalë vizitat – Kosovën e Serbinë i pret në tryezë plani franko-gjerman

news image

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohet të hënën në Beograd me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, njoftoi zyra e Vuçiqit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë këtyre takimeve, sipas Lajçakut, do të diskutohen hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve, në përputhje me planin franko-gjerman.

Ai theksoi se marrëveshja e 23 nëntorit shmang forcimin e mëtejshëm të tensioneve dhe se takimet e ardhshme do të fokusohen në propozimin franko-gjerman.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vizitën e konfirmoi edhe në një intervistë për “Politiko” ku ka treguar se javën e ardhshme do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

Lajçak tha se do të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandr Vuçiq për të siguruar që të dy vendet të respektojnë marrëveshjen e targave.

“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit .Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm.”, ka thënë në Kanal10 emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kujtojmë që të mërkurën e 23 nëntorit, Kosova dhe Serbia, kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kishte bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe janë fokusuar tërësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, ka thënë Borrell.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ishte takuar me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Paraprakisht Kosova kishte shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale të Serbisë në RKS – Republika e Kosovës, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/GazetaSinjali/