Përfaqësuesi special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do ta vizitojë këtë të hënë Beogradin. Takimi mes Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Vuçiq.
Temë e diskutimit do të jetë ecuaria e mëtejshme e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe zgjidhja e çështjes së targave, shkruan Gazeta Sinjali.
Për të njëjtën çështje, më 13 tetor, Lajçak kishte qëndruar për vizitë në Kosovë ku ishte takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, në takim ishte diskutuar për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Theksojmë se në fillim të muajit shtator, dy këshilltarë e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, Jens Plettner dhe Emmanuel Beanie kishin vizituar Kosovën dhe Serbinë. Ata u kishin bërë thirrje të dy vendeve që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiq ishte më 13 gusht në Bruksel pas tensioneve të korrikut në Mitrovicën e veriut dhe para se të përfundojë pezullimi njëmujor që Qeveria e Kosovës ia kishte bërë vendimit për reciprocitet në targa dhe dokumente të lëshuara nga Serbia.
Palët ishin pajtuar që takimet të mbaheshin në baza mujore.
Se ka një dakordim gojor që Serbia e Kosova të takohen në Bruksel këtë muaj, ditë më parë e tha zv.kryeministri që është edhe kryenegociator, Besnik Bislimi.
“Zoti Lajqak është duke pa mundësinë në çfarë datash mund të ftojë këtë muaj, por nuk e dimë ende. Ky është dakordim gojor, mirëpo ka vullnet nga pala jonë të shkohet në Bruksel në baza mujore por ne nuk i thërrasim takimet”, ka thënë Bislimi.
Ndryshe, më 1 shtator ka hyrë në fuqi vendimi për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Vlerësohet se në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PR, PZ, KM, UR e të ngjashme – të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të tilla do të mund t’i riregjistrojnë ato në targa RKS – Republika e Kosovës.
E për zgjidhjen e çështjes së targave, Lajçak kishte propozuar të përdoreshin targa neutrale- por Kurti ka hedhur poshtë një propozim të tillë.