image Lajçak për largimin e barrikadave në veri: Të bëhet me marrëveshje politike, jo me buldozerë

Lajçak për largimin e barrikadave në veri: Të bëhet me marrëveshje politike, jo me buldozerë

news image

Pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbinë, Miroslav Lajçak, foli për situatën në veri dhe barrikadat e vendosura nga serbët në atë pjesë.

Lajçak tha se mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo buldozerë.

“Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak tha se pas këtij takimi, do të takohet edhe me KFOR-in dhe EULEX-in, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojnë të gjejnë zgjidhjet e mundshme.

“Kam pasur diskutim të gjatë me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha ai para gazetarëve.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar ka thënë se ia ka bërë të qartë pritjen e tij kryeministrit të Kosovës që të fillohet të punohet drejt implementimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se pret angazhim konkret në një të ardhme të afërt mbi këtë çështje.

/GazetaSinjali/