I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se heqja e barrikadave e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbesin ende të larta. Ai gjithashtu ka thënë se marsi është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se niveli i mos-besimit është më i lartë se kurrë më parë.
“Besoj që e ka zgjedhur problemin, por tensionet mbesin ende të larta. Niveli i mos-besimit është më i lartë se kurrë më parë”, ka thënë Lajçak për Politico.
Lajçak ka kërkuar që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër.
“Ajo që është e rëndësishme tani, është që të mos lejohet rrëshqitja prapa në një tjetër krizë, dhe është e rëndësishme për liderët në Kosovë dhe Serbi që të nisin ta krijojnë një atmosferë të përshtatshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë diplomati evropian, i cili po punon bashkë me SHBA-në dhe NATO-n në kuadër të përpjekjeve diplomatike mes mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se përpjekjet nuk do të ndalen, duke thënë se muaji mars i vitit 2023 është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje.
Politico ka shkruar se bashkësia ndërkombëtare është duke ndjerë një urgjencë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen ballkanike, duke marrë parasysh nevojën e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit në mënyrë që ta largojë nga BE.
Megjithatë, sipas vlerësimit të mediumit, në këto rrethana, marrëveshja finale duket larg.