image DASH: Të ulen tensionet midis Shkupit dhe Sofjes

Rajon

DASH: Të ulen tensionet midis Shkupit dhe Sofjes

news image

SHBA-të bëjnë thirrje që të ulen tensionet në raportet Shkup – Sofje dhe të zgjidhen kontestet dypalëshe – ka deklaruar për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke komentuar vendimin e Bullgarisë që ta tërheq ambasadorin nga Shkupi.

“I bëjmë thirrje Bullgarisë dhe RMV-së që të deeskalojnë retorikën e tyre dhe shpejt t`i zgjidhin këto konteste dypalëshe. E ardhmja e RMV-së është në BE. SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin integrimin e plotë euroatlantik të vendit” – thonë nga DASH.

Bullgaria, javën e kaluar, tërhoqi ambasadorin nga Shkupi, pas sulmit ndaj sekretarit të një klubi bullgar në Ohër, duke pohuar se ekziston një situatë serioze lidhur me të drejtat e Bullgarëve në RMV.

Ndërkohë mediat kanë njoftuar se kanë marrë konfirmim nga Ministria e Punëve të Jashtme se Ambasadori bullgar u kthehet detyrave diplomatike në Shkup.

Dje, gjatë një takimi në Shkup, Ministrat e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Oliver Spasovski dhe Ivan Demerxhiev, janë zotuar se nuk do të lejojnë incidente gjatë shënimit të ditëlindjes së revolucionarit Goce Dellçev, që pritet të mbahet më 4 Shkurt në Shkup.

/GazetaSinjali/