image Zhvillime të reja për dialogun? Kurti kërkoi zbatim të marrëveshjes, Lajçak paralajmëroi takim në Bruksel

Politikë

Zhvillime të reja për dialogun? Kurti kërkoi zbatim të marrëveshjes, Lajçak paralajmëroi takim në Bruksel

news image

Kryeministri Albin Kurti dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë takuar dje në Bled të Sllovenisë, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kurti e Lajçak kanë diskutuar mbi procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike. Me Lajçakun, kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Ndërsa, për takimin me Kurtin ka shkruar edhe Lajçak.

Ai tha në rrjetin social X se temë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë për dialog. I dërguari i BE-së paralajmëroi takim në Bruksle gjatë shtatorit.

“Kishim një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të Dialogut në shtator me fokus në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, ka shkruar Lajçak.

/GazetaSinjali/