I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Greqi.
Përmes një statusi në Twitter, Lajçak ka bërë të ditur se me kryeministrin Kurti është diskutuar për situatën aktuale në Veri.
I dërguari i BE-së, theksoi se tema mes tyre ishte rruga drejt deeskalimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut.
“Në Simpoziumin e Symit të këtij viti, pata një diskutim të dobishëm me Kryeministrin Albin Kurti, për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën përpara drejt deeskalimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut”, shkroi Lajçak.
Rreth këtij takimi kishte shkruar mbrëmë edhe kryeministri, Albin Kurti.
Kurti bëri të ditur se gjatë këtij takimi ka zhvilluar një bisedë të gjatë me Lajçak, për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke e konsideruar si diskutim të qetë.
“Pata një bisedë të gjatë me Emisarin @MiroslavLajcak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë ,për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, ka shkruar në twitter kreu i Qeverisë, Albin Kurti.