image Ky është vendimi i Gjykatës për narkomanin që dhunoi 13-vjeçaren nga Gjakova - Sinjali

Ky është vendimi i Gjykatës për narkomanin që dhunoi 13-vjeçaren nga Gjakova

news image

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Shëndrim Llollunit, i cili dyshohet se ka dhunuar një vajzë 13-vjeçare, e cila nga prindi i saj ishte raportuar e zhdukur.

Ai dyshohet se me përdorim të forcës e ka detyruar të miturën të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, tri herë radhazi, derisa viktima ka arritur të ikë nga dritarja e shtëpisë.

I pandehuri fillimisht e takon dhe përshëndet të dëmtuarën në rrugë, por e njëjta nuk ndalon dhe vazhdon rrugën, ndërsa i pandehuri e përcjell dhe përsëri e takon të dëmtuarën duke e ftuar për kafe në një lokal në Gjakovë. Pasi qëndrojnë për një kohë në lokal, i pandehuri më pas e fut të dëmtuarën në automjet dhe e dërgon në shtëpinë e tij në Junik, dhe gjatë qëndrimit në shtëpi i pandehuri me përdorim të forcës dhe pa pëlqimin e saj tri herë kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e dëmtuara arrin që të del nga dritarja e shtëpisë, largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqet rastin në polici“.

Këto janë faktet që Prokuroria synon t’i provojë në fazën e hetimit, e të cilat po ashtu i ka parashtruar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për të cilën Gjykata Themelore në Gjakovë ka vendosur sot, duke aprovuar kërkesën.

Sinjali dje raportoi se Llolluni që dyshohet për dhunimin e të miturës, u kap në flagrancë teksa konsumonte heroinë në tualetin e marketit ‘Viva Fresh’ në rrugën ‘UÇK’ në Gjakovë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin