image Ky është personi që me dokumente të falsifikuara përvetësoi 13 hektarë tokë në Pejë - Sinjali

Ky është personi që me dokumente të falsifikuara përvetësoi 13 hektarë tokë në Pejë

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar dje në pikën kufitare Dheu i Bardhë të shpallurin në kërkim për kryerjen e veprës penale “Falsifikim të dokumenteve” dhe “legalizim të përmbajtjes së rreme”. Gazeta Sinjali mëson se i arrestuari është Mitar (Bozidar) Bllagojevic.

Sipas hetuesve policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Pejë, dyshohet se ai ka kryer veprat penale ’legalizimi i përmbajtjes së rreme’ dhe ‘falsifikimi i dokumenteve’.

Me këto veprime 79-vjeçari dyshohet se ka falsifikuar një aktgjykim të vitit 1976 dhe me të ka arritur të bëjë bartjen e një prone prej 13 (trembëdhjetë) hektarëve në pronësi të tij.

Prona e cila deri më 8 shtator të vitit 2021 ka qenë në pronësi të Institutit të Bujqësisë, gjendet në fshatin Qyshk të Pejës.

I dyshuari pas intervistimit në prezencë të avokatit, me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim deri në 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin