Ismail Ismaili është personi i cili figuron si përkthyes dhe interpret gjyqësor në versionin e gjuhës shqipe të Raportit të ekspertizës mjeko-ligjore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ai është angazhuar në përkthimin e materialit prej rreth 60 faqesh të Institutit të Lozanës në Zvicër ndërsa ka deklaruar se këtë punë e kryen me autorizim të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, shkruan Gazeta Sinjali.
Ismaili është përkthyes dhe interpret gjyqësor që punon në kompaninë e përkthimeve “Prestige” e cila ka seli në Prishtinë dhe në qytete të tjera.
Në faqen e 14-të të raportit përfundimtar( versioni në shqip) për rastin Astrit Dehari përkthyesi dhe interpret gjyqësor zotohet për saktësinë e përkthimit, i cili është kontestuar nga njohësit e gjuhës frënge dhe shqipe.
“Unë, i poshtë nënshkruari, Ismail Ismaili, përkthyesi- iterpret gjyqësor i autorizuar nga Gjykata e Qarkut me vendimin nr. 238/2009 e vërtetoj saktësinë dhe autorësinë e përkthimit nga gjuha frënge në gjuhën shqipe. Në dëshmi të kësaj, kam vendosur nënshkrimin tim dhe vulën e datës 19 tetor 2009, në Prishtinë”, shkruan Ismaili në raportin e përkthyer prej tij, raporton Gazeta Sinjali.
Përmbajtja e raportit të ekspertizës mjeko-ligjore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, versioni në gjuhën shqipe është kritikuar ashpër për nivelin e përkthimit. Siç raportoi Gazeta Sinjali, Njohësit e gjuhës frënge kanë akuzuar publikisht autorin e përkthimit për pasaktësi dhe pakuptimësi deri në keqkuptim të versionit origjinal të raportit. /Gazeta Sinjali/