Pas publikimit të informacionit për personat të cilët dyshohet se kanë dërguar sot një 18-vjeçare pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt, në adresë të Gazetës Sinjali kanë ardhur mesazhe lidhur me identitetin e njërit nga të dyshuarit për këtë rast.
Sipas një sinjalizuesi, njëri nga personat që dyshohet se e dërgoi 18-vjeçaren pa shenja jete në Ferizaj është Dardan Krivaqa.
Sinjalizuesi ka dërguar disa foto të Krivaqës të cilat pas analizimit rezultojnë se i njëjti është njëri nga të dyshuarit për rastin që ndodhi sot.
Nga policia deri më tash kanë deklaruar se ende nuk janë identifikuar të dyshuarit, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari për Sinjalin.
“Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit, ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkaq 18-vjeçarja që u dërgua pa shenja jete në qendrën emergjente në Ferizaj ka shenja të dhunës.
Kështu ka bërë të ditur Halit Gërbeshi, ushtruesi i detyrës të Drejtorit të Spitalit të Ferizajt.
“Ka ardhë pa shenja jete, me shenja dhune. Por, nuk di më shumë nuk e kam par kufomën sepse nuk jam në spital”, ka thënë ai për Sinjalin.
Këtë rast e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka njoftuar se ende nuk dihet identiteti i viktimës.
“Tani për tani nuk dihet identiteti i sajë dhe rrethanat e vdekjes, policia menjëherë ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po e heton këtë rast”, ka thënë ai për Sinjalin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.