Sot Gazeta Sinjali publikoi videon e rrahjes së përgjakshme që ka ndodhur ditë më parë në picerinë “Proper Pizza” në Prizren, në të cilën u përfshinë disa persona. Pas publikimit të kësaj video në redaksinë e Sinjalit kanë ardhur mesazhe të shumta në të cilat tregohet se njëri nga të dyshuarit në këtë rast është një person i njohur me nofkën Gabby Thaçi.
Sinjalizuesit kanë njoftuar se ky person është ende në arrati, ndonëse Policia është në dijeni për përfshirjen e tij në rrahjen e publikuar nga Sinjali.
Në pamjet e publikuara sot nga Sinjali shihet se si disa persona rrihen mes vete deri në përshkallëzim të situatës, ku të dyshuarit rrahen me grushte e karrige mes vete.
Madje në pamjet e rrahjes me grushte e karrige, shihet edhe një armë që i bie në tokë njërit nga personat e përfshirë në këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/