Një 28-vjeçar nga Kosova u godit me thikë për vdekje të dielën në rrugët e Biere në Zvicër.
Autori i dyshuar thuhet se është një shtetas kosovar 55-vjeçar, që është arrestuar nga Policia.
28-vjeçari u gjet i pajetë në rrugë dhe kishte humbur një sasi të madhe gjaku. Mësohet se viktima është Zenel Gashi.
Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se dy personat kishin njohje me njëri-tjetrin, ndërsa po vijon puna për të zbuluar se cilat ishin arsyet që çuan në krim.
Shtetasi 28-vjeçar kosovar, i cili nuk kishte vendbanim të njohur në Zvicër, vdiq në vend të ngjarjes si pasojë e një plage me thikë në zonën e gjoksit.