Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar për arrestimin e njërit prej personave që dyshohen për therjen me thikë ndaj një 22-vjeçari në Prishtinë. Rasti kishte ndodhur në muajin maj, por të dyshuarit kishin arritur që të ikin nga duart e Policisë.
Sinjali mëson se njëri nga të dyshuarit që u identifikua dhe u arrestua dje është 20-vjeçari Valbon Krasniqi.
Krasniqi bashkë me një person tjetër të paidentifikuar akoma, dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një person në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe të njëjtin e kanë therur me thikë tri herë.
20-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Krasniqit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor pritet që Prokuroria të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë vazhdojnë ende kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e personit tjetër të dyshuar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.