Gazeta Sinjali ka raportuar gjatë ditës për një rast të dhunimit që dyshohet të ketë ndodhur në njërin nga motelet në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, mbrëmë pas mesnate. Rasti është denoncuar nga viktima, një 26-vjeçare, e cila ka raportuar se është detyruar të kryej marrëdhënie seksuale nga një burrë.
Denoncimi i saj aktivizoi Policinë, me ç’rast u identifikua dhe u arrestua i dyshuari, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Granit Hysenin, i njohur si Granit Petrova, i cili po dyshohet se e ka dhunuar seksualisht vajzën 26-vjeçare.
Sinjali mëson se rasti dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima dhe i dyshuari ndodheshin bashkë në veturë dhe vendosën të bënin një shëtitje. Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka mashtruar dhe derisa ishin në lëvizje, ai e çoi në motelin Prada, ku me forcë dyshohet se e detyroi të kryenin marrëdhënie seksuale.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme në motelin ku dyshohet se ndodhi rasti.
Pasi Policia arriti ta lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit, i njëjti u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera brenda afatit ligjor.
Rasti është konfiruar edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 04:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se rreth orës 00:30 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në një motel në Ferizaj dyshohej se ishte një rast “Dhunimi”. Policët hetues dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë nisur hetimet.
Në lidhje me këtë policët hetues kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar personin mashkull, kosovar i moshës 31 vjeçar me dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi” ndaj femrës kosovare e moshës 26 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.