Gazetari kosovar, Llukman Halili, vdiq mëngjesin e sotëm, në moshën 64-vjeçare, shkruan Gazeta Sinjali.
Halili ishte i lindur në vitin 1956 në Tërrnoc të Madh të Preshevës. Shkollën fillore e kishte përfunduar në Tërrnoc, ndërsa gjimnazin në Bujanoc.
Në vitin 1979 kishte diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare nga lëmi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga viti 1983 e deri më 1985 kishte jetuar në Poloni, ku ishte specializuar në lëminë historisë politike të shteteve të Lindjes.
Në vitet 1985-1990 ishte komentator në redaksinë e politikës së jashtme në Radiotelevizionin e Prishtinës, pastaj korrespondent i agjencisë kroate të lajmeve “HINA” nga Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria.
Si bashkautor, në vitin 1992 botoi librin “Unë Ramiz Alia, dëshmoj për historinë”, kurse më 2012 botoi librin në kroatishte “Politika e jashtme e Polonisë 1945-1980”. Nga viti 1994 punoo në Zvicër, në disa gazeta dhe media shqiptare. Në vitin 2013, në Universitetin Zarës, mbrojti disertacionin me temë “Lëvizja e dhjetorit 1990 në Shqipëri”./Gazeta Sinjali/