Ende janë të paqarta shkaqet që kanë çuar në vrasjen e Bullarit. Aq sa të paqarta janë edhe arsyet se pse Bullari ka udhëtuar nga zona e Peqinit në drejtim të Vlorës, pikërisht në fshatin Babicë, ku u gjend i vrarë pikërisht në vendin e quajtur “Qafa e Topit”.
Kush është Xhuljano?
Bullari njihet nga policia si person me precedent penalë. Bullari kishte pak muaj që ka dalë nga burgu, pasi vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj burgim për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të shtetasve sirianë.
Njëherësh Bullari është dënuar edhe në Tiranë për akuzën e Largimit nga vendi i caktuar nga gjykata, pasi gjatë periudhës së qëndrimit në “Arrest shtëpie” ai ka ikur nga banesa.
Kush e thirri Xhuljanon?
Ndërsa prania e tij në Babicë deri në këto momente justifikohet nga policia lokale, se dikush i njohur i tij mund ta ketë thirrur Xhuljano Bullarin.
Si u identifikua viktima?
Bullari kohët e fundit qëndronte në zonën e Babrrusë në Tiranë. Policia ka mundur të identifikojë viktimën mesditën e sotme, vetëm falë zbulimit të pronësisë së automjetit Tip Fiat Punto, që i përket një gruaje në Tiranë.
Pikërisht në këtë automjet në orët e para të mëngjesit, u gjend i pajetë Xhuljano Bullari, teksa ishte qëlluar plot 4 herë me pistoletë, por vetëm 3 plumba e kanë prekur në trup.
Një plumb, ka dëmtuar dhe xhamin e parë të makinës. Ndërsa, deri në këtë fazë të hetimeve, policia e Vlorës beson se viktima është qëlluar nga një person i njohur, i cili ka qenë brenda makinës.
Bullari është thirrur në këtë zonë nga një i njohuri i tij dhe ka shumë gjasa që mund të ketë lindur konflikt për çështjen e pazareve të drogës apo vjedhjes, çka ka sjellë eliminimin fizik të Bullarit.
Tashmë policia e Vlorës është duke kryer hetime me qëllim zbulimin e personave përgjegjës për këtë vrasje.
Ora News siguron foton e 25 vjeçarit që u gjet i vrarë në makinë mëngjesin e sotëm në Babicë të Vlorës.
Në foto Xhuljano Bullari është kur ka qenë në moshë 18-20 vjeç.