Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i kanë mbetur edhe dy javë në këtë pozitë.
Por, disa republikanë janë duke konsideruar të mundshëm shkarkimin e tij në ditën e fundit të administratës, pasi që nxiti dhunë në protestën e djeshme, thuhet në një shkrim të publikuar në CNN, përcjellë Gazeta Sinjali.
Në këtë shkrim gjithashtu bëhet e ditur se fajësimi për ta hequr Trump nga detyra, do ta ndalonte edhe që të kandidonte përsëri për president.
Një opsion i dytë është futja në përdorim e Amendamentit të 25-të, të Kushtetutës amerikane i cili është diskutuar kohë pas kohe si një mjet i fundit për të hequr një president mashtrues ose të paaftë nga pushteti.
Disa anëtarë të kabinetit zhvilluan diskutime paraprake në lidhje me përdorimin e Amendamentit të 25-të për të detyruar largimin e Trump nga detyra, i tha një burim i Partisë Republikane CNN-it.
Por, çka duhet për ta bërë këtë?
Së pari, për të hequr me forcë Trumpin nga pushteti, zëvendëspresidenti Mike Pence duhet të jetë në pajtueshmëri me këtë sipas tekstit të amendamentit kushtetues. Zëvendëspresidenti Pence do të duhej po ashtu ta ketë pajtimin e shumicën e zyrtarëve të kabinetit të Trumpit.
Trumpi mund ta kontestojë këtë lëvizje të tyre me një letër dërguar Kongresit. Zëvendëspresidenti Pence dhe kabineti kanë pastaj 4 ditë kohë të kontestojnë atë. Kongresi më pastaj do të duhej të votojë dhe nevojiten 2/3 e shumicës, zakonisht 67 senatorë dhe 290 kongresmenë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta shkarkuar përfundimisht presidentin.
Kongresi gjithashtu mund të caktojë organin e tij për të shqyrtuar gjendjen e Presidentit në vend të Kabinetit. Kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, gjatë Kongresit të fundit, prezantoi një projekt-ligj për krijimin e një organi kongresist për këtë qëllim, por ai nuk u nënshkrua në ligj.
Sulmi mbi Kongresin nga protestuesit me kërkesë të Presidentit mund të jetë i pari precedent i tillë në historinë e kombit amerikan.