image Kuvendi vlerësohet për performancë të dobët gjatë vitit 2021 - Sinjali

Kuvendi vlerësohet për performancë të dobët gjatë vitit 2021

news image

Njohësit ligjor vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës ka pasur performancë të dobët në ligjvënie gjatë vitit 2021. Sipas tyre, legjislatura e tetë ishte joefikase në mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve dhe të strategjive të ndryshme.

Monitoruesi i punës së Kuvendit, Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se të zgjedhurit e popullit gjatë vitit 2021 nuk kanë arritur të përmbushin detyrat e tyre.

Zeka thotë se vendimi i Kushtetueses për shkarkimin e bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i ka vendosur hije të keqe punës së Kuvendit.

“Është e kotë që Qeveria të dërgojë ligje në Kuvend kur e njëjta nuk arrin të përmbushë punën e saj dhe t’i aprovojë këto projektligje. Dihet se agjenda legjislative është vetëm njëra nga punët e Kuvendit, kemi edhe shumë detyra të tjera që i ka Kuvendi dhe nuk ka mundur t’i arrijë gjatë këtij viti kalendarik”, deklaroi ai.

“Përveç ligjeve, Kuvendi joefikas ka qenë edhe në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe strategjive të ndryshme të cilat total kanë dështuar që të përmbushin këtë detyrë. Pastaj kemi pasur një numër të madh të bordeve që nuk kanë arritur të emërohen, apo nëse janë propozuar nga komisionet funksionale, nuk kanë arritur që të marrin votat e nevojshme që të bëhen funksionale. Ky Këshill (KPMSHCK) u shkarkua dhe pastaj nga Gjykata Kushtetuese u gjet se ky lloj shkarkimi ishte kundërkushtetues. Kjo i jep hije të keqe punës së Kuvendit, ku Kuvendi bashkë me presidentin duhet të mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës dhe jo të jenë vetë shkelës të Kushtetutës”, thotë ai për KP.

Deputeti opozitar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë se fajin që Kuvendi ka pasur performancë të dobët e ka partia në pushtet. Sipas tij, pushteti ka pasur një agjendë legjislative populiste dhe pa ndonjë dinamikë.

Ndryshe nga ai, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thotë se legjislativi ka qenë efikas gjatë vitit 2021, ndonëse sipas tij, viti ka qenë i ngarkuar edhe me zgjedhjet lokale që kanë pasur ndikim në mbajtjen e seancave plenare.

“Unë mendoj se legjislatura ka qenë shumë efikase, kuptohet në një vit të ngarkuar edhe me zgjedhjet lokale. Duhet të kemi parasysh se ka pasur një impakt në mbajtjen e seancave, por në termat e përgjithshme një plan ambicioz legjislativ dhe një mazhorancë e konsoliduar sa i përket numrit të deputetëve, por gjithnjë brenda kufizimeve të afateve. Kësisoj mendoj se kemi pasur një efikasitet të lartë, por ka mundur të jetë më i lartë dhe do të jetë i lartë vitin e ardhshëm”, ka thënë Rrustemi./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin