Për shkak të mungesës së kuorumit nuk është hedhur në votim, Projektligji për vetëqeverisjen lokale.
Mazhoranca dhe një pjesë e opozitës e ka përkrahur këtë iniciativë ligjore, ndërsa PDK-ja ka kërkuar kthimin në qeveri të tij.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se përmes këtij plotësim-ndryshimi do të bëhet funksionimi më i mirë i vetëqeverisjes lokale.
“Ligji për vetëqeverisjen lokale është ligj me interes vital. Duke marrë parasysh rëndësinë e tij dhe faktit se janë bërë 10 vjet nga legjislacioni për vetëqeverisjen lokale, kemi paraparë që është e nevojshme të bëhen disa ndryshime. Ato nuk prekin sistemin e vetëqeverisjes lokale dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit jo shumicë, por vetëm çështjet për funksionimin më të mirë të këtij niveli të qeverisjes”, tha ai.
Përkrahje këtij projektligji i ofroi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Agim Veliu.
Nga ana tjetër rezerva shprehu shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Sot ky Projektligj duhet të tërhiqet dhe të shtrohet në diskutim me asociacionin e komunave. Pra unë sa arrij të kuptoj, si mund të votojmë ne sot pavarësisht se e ka leximin e dytë kur i ke kryetarët dhe Asociacionin e Komunave kundër”, tha ai.
Pas diskutimit të kësaj pike, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkuan në pauzë deri në orën 15:30.