Rezoluta e AAK-së kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike nuk ka gjetur mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo rezolutë i kërkonte Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës të mos pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Rezoluta e propozuar nga AAK mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të energjisë (ZRRE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos i miratojnë, respektivisht të mos i pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një masë të përhershme dhe konsistente që i zbutë vështirësitë ekonomike. Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës të destinojë mjete shtesë buxhetore për financimin direkt dhe subvencionimin të bujqve. Qeveria e Republikës së Kosovës të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin e pagave për miratim”, ka thënë Pal Lekaj.