Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen punës javën e ardhshme. Pas pushimit mbi një muaj, të zgjedhurit e popullit do të fillojnë sesionin vjeshtor të legjislativit më 12 shtator.
Të njëjtit pritet të kenë një agjendë të ngjeshur gjatë këtij viti kalendarik. Prioritet për kuvendarët pritet të jenë një sërë projektligjesh, duke filluar nga miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, Projektligji për paga dhe zyrtarët publik, Paga minimale, Byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe Vettingu në drejtësi.
Ndërkohë, monitoruesit e punës së Kuvendit kërkojnë kontroll më të madh parlamentar ndaj Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, thotë se mazhoranca është e vendosur për të çuar një sërë çështjesh përpara në sesionin vjeshtor të Kuvendit.
“Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është një nga ngjarjet më të rëndësishme që vjen pjesën e fundit të vitit. Ndërkohë edhe dy projektligjet që i përmendet, që aktualisht janë në konsultim publik, siç është ai për pagat e zyrtarëve publik dhe projektligji për zyrtarët publik janë dy politika shumë të rëndësishme të reformës së përgjithshme në administratë publike, por edhe nivelizimit të pagave në sistemin tonë publik.
Gjithmonë në përputhje me përgjegjësitë dhe pozicionet duke garantuar barazi dhe drejtësi, por të njëjtën kohë edhe produktivitet të zyrtarëve të lart publik. Mos harroni se shumë prej projektligjeve, përveç të atyre që kanë rezultuar drejtpërdrejt nga programi ynë qeverisës, ka shumë prej tyre që kanë qenë në pritje për vite të tëra në Kuvendin e Kosovës, madje me shumë se tre legjislatura që janë rrëzuar në faza të caktuara. Por në këtë legjislaturë po kalojnë për shkak të stabilitetit dhe efikasitetit. Përfshirë edhe rregulloren e Kuvendit që pas 11 viteve u miratu”, thekson ai.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se sesioni vjeshtor për Kuvendin do të jetë i ngarkuar.
Ai përmend disa prej projektligjeve dhe temave që deputetët duhet t’i japin zgjidhje. Përkundër paralajmërimeve për miratim të projektligjit për paga, Miftaraj shprehet skeptik se i njëjti do të ndodh gjatë këtij viti.
“Sesioni vjeshtor do të jetë i ngarkuar për Kuvendin e Kosovës, me vet faktin se janë mbledhur një nunër i madh i iniciativave ligjore, ku kërkojnë vëmendjen dhe trajtimin sa më të shpejt nga Kuvendi. Nëse marrim për bazë nga prioritetet një prej prioriteteve bazë të Kuvendit do të jetë politika që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë. Padyshim aty hynë, tanimë koncept-dokumenti për vettingun, pastaj kodi civil, i cili është një temë e nxehtë që duhet të vjen prapë në Kuvend e Kosovës, byroja për konfiskimin e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme.
Këto tri fusha, Projektligji për pagat, zyrtarët publik dhe paga minimale janë temat më të nxehta që do të ketë kjo legjislaturë, por në radhë të parë Qeveria e Kosovës. Përkundër faktit se Projektligji për pagat, zyrtarët publik ende s’kanë dal në diskutim publik. Besoj se diskutimi publik që parashihet së paku 15 ditë për grupet e interesit, do të ndikojë që të kemi një numër të madh të akterëve që do të përfshihen duke dhënë komente, dyshoj se si janë hartuar këto dy ligje, do të munden të kalojnë në Kuvend gjatë këtij viti kalendarik”, thekson ai.
Ai shton se në këtë sesion Kuvendi duhet të ketë një kontroll më të madh parlamentar në raport me punën e qeverisë Kurti.
“Në këtë sesion padyshim që do të duhej të pritnim të kemi një kontroll parlamentar shumë më të madh të Kuvendit të Kosovës, në raport me punën e qeverisë. Në fund të këtij viti bëhen më shumë se 18 muaj që kjo qeveri po udhëheq me vendin dhe do të ishte normale që të raportonte qeveria para Kuvendit, lidhur me agjendën apo plan programin e saj, sa ka zbatuar dhe ku është, që e ka mirtuar në Kuvend”, deklaron Miftaraj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pushim që nga 4 gushti, kur edhe ishte seanca e fundit plenare.
Në shtatë muajt e parë të këtij viti, sipas mazhorancës, Kuvendi miratoi 87 ligje në dy leximet./KP