Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të mërkurën, 21 tetor, në të cilën do të mbahen tri interpelanca, të ftuara nga deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur sot.
Në mesin e interpelancave është ajo në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, interpelanca lidhur me përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe interpelanca lidhur me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për ditën e mbajtjes së dy interpelancave të tjera, asaj për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, si dhe interpelancës për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, do të vendoset në koordinim midis kabinetit të kryetares së Kuvendit dhe kabinetit të kryeministrit”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e sotme Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /Gazeta Sinjali/