image Kuvendi mban dy seanca të premten, pritet votimi i drejtorëve të bordit të AKP-së

Politikë

Kuvendi mban dy seanca të premten, pritet votimi i drejtorëve të bordit të AKP-së

news image

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të premten dy seanca plenare. Seanca e parë do të jetë vazhdimësi e seancës së sotme, ndërsa e dyta do të jetë seancë e re, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka arritur që të sigurojë rendin e ditës për të dyja seancat. Në seancën e parë, e cila do të fillojë në orën 11:00, do të diskutohen pikat e mbetura të seancës së sotme.

Në këtë seancë pritet të hidhet në votim Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Votimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II).

Po ashtu, votimi i i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.

Gjatë kësaj seance, deputetët do të votojnë edhe për Projektligjin nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19″.

Ndër të tjera, në këtë seancë pritet të bëhet edhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit.

Ndërkaq, në seancën e dytë, e cila do të fillojë në orën 12:00, pritet të shqyrtohet Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, si dhe Projektligji për Mbeturinat nga Industritë nxjerrëse të mineraleve.

Në këtë seancë, po ashtu pritet të votohen edhe drejtorët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të propozuar nga Qeveria Kurti 2./Gazeta Sinjali/