image Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vazhdon debatin për propozimin francez

Rajon

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vazhdon debatin për propozimin francez

news image

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut vazhdon debati, i nisur një ditë më herët, për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, shërbimet e Kuvendit paralajmërojnë se seanca mund të mos përfundojë as ditën e premte.

Propozimi francez parash kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Propozimi i Francës, prej shtatë pikash, kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë, organizon protesta.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase. Sofja pretendon se gjuha maqedonase, deri para vitit 1945, ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase.

Sipas tij, nuk do të ketë asnjë qeveri që do të negociojë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetit maqedonas.

Ai bëri thirrje për miratimin e propozimit francez, duke thënë se është mënyra e vetme për zhbllokimin e integrimit evropian.

Nuk do të lejojmë, si në të kaluarën, që shteti dhe qytetarët të jetojnë në pasiguri, shqetësim dhe dilema të vazhdueshme, se çfarë do të ndodhë nesër. Nuk do të lejojmë që vendi të mbetet në fund të Ballkanit, kur të gjithë ecin përpara, pavarësisht problemeve që mund t’i kenë”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se Qeveria që drejton, është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas” përmes “barazisë së tij me kombet evropiane”.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së, partisë kryesore opozitare maqedonase, mbeten në qëndrimin se propozimi është i dëmshëm dhe si i tillë nuk do të kalojë.

“Mallkimi i maqedonasve është duke ndodhur, pasi në pushtet kemi kuislingë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, vetëm që të mbeten në pushtet. Ata janë të gatshëm të shesin gjithçka që nuk është e tyre”, tha Dragan Kovaçki, deputet i VMRO DPMNE-së.

Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të enjten, iu drejtua edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se propozimi francez garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Kam dëgjuar me vëmendje për shqetësimin tuaj për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha juaj. Dhe, ne e respektojmë plotësisht. Në propozimin e modifikuar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikime nga Bashkimi Evropian. Protokolli respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Parimi i vetidentifikimit është me rëndësi të veçantë për të gjithë ne. Mund të llogarisni te unë”, tha von der Leyen.

Miratimi i propozimit francez në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese.

Deputetët duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash, që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, e që ka të bëjë kryesisht me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Kuvendi e obligon Qeverinë që, përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në dokumentin që u prezantua nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Paralelisht me debatin parlamentar, jashtë ndërtesës së Kuvendit në Shkup po mbahen protesta kundër miratimit të propozimit, shkruan REL.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi të enjten mbrëma për ndalimin e dhjetë personave, të dyshuar për përfshirje në incidente të ndryshme, si gjuajtje me sende të forta në drejtim të forcave të rendit.

Edhe të premten, forcat speciale të policisë janë duke ruajtur institucionet, si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

/GazetaSinjali/