Dita e djeshme shfaqi pamje të njërës prej seancave më të rënda plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku debatet eskaluan në përplasje fizike, mes opozitës e pozitës. Ndër vite, ky Kuvend është përballur goxha shumë me situata të pakëndshme, ku deputetët e zgjedhur nga populli gjatë këtyre momenteve dështuan të përfaqësojnë denjësisht pozitën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo çfarë ka ndodhur dje, tashmë është e qartë për pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i deputetëve u grushtuan e u ofenduan, ku u përfshinë edhe pjesa tjetër e kolegëve, kështu duke sjellë para qytetarëve të Kosovës, e jo vetëm, pamje të shëmtuara.
Nëse kthehemi pas në kohë, dalin se këto pamje nuk janë të vetmet që lanë një shije të hidhur në historikun e Kuvendit të Kosovës.
Më 25 shtator, 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa ishte sulmuar me vezë gjatë seancës së Kuvendit, nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeparlamentari i asaj kohe, Kadri Veseli i kishte bërë thirrje deputetëve t’i ndalin këto veprime, teksa ishte dëgjuar duke kërkuar pauzë prej 10 minuta.
Gati një muaj pas kësaj ngjarje, më 8 tetor, 2015 deputeti i VV-së, që sot gëzon postin e kryeministrit, Albin Kurti kishte sulmuar me vezë edhe deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin.
Në nëntor të po të njëjtit vit, u shënua edhe një tjetër seancë e Kuvendit mjaft e rëndë, ku më shumë se numri i deputetëve vend në Kuvend kishte zënë gazi lotsjellës.
“I ke thanë kriminel”, “Kush i ka thanë kriminel Sami Lushtakut?”, kështu kishte filluar një përplasje e ashpër më 2016, mes Glauk Konjufcës e ish-deputetit të PDK-së, Nuredin Lushtaku.
Gjatë vitit 2018, saktësisht në seancën plenare të 16 marsit, tensionet në Kuvend u rritën kur ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha po mbante fjalimin e saj për rastin e Astrit Deharit. Ky fjalim shkaktoi reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, ku gati sa nuk pati përplasje fizike me deputetët e PDK-së.
Ky vit nuk shpëtoi edhe pa përleshjen e 18 majit, ku u përplasë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, ku u përfshi edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.
Dita e 29 e muajit korrik, më 2020, u shënua me një përleshje mes deputetëve të LDK-së, e atij të VV-së. Kujtim Shala e Arben Gashi u përleshën me Gazmend Gjyshincën pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.
Ky Kuvend padyshim që ka të shënuara edhe qindra ofendime të tjera të rënda karshi njëri-tjetrit, ku deputetët e tij në shumicën e rasteve nuk arritën t’i ndalnin tensionet, duke e përshkallëzuar edhe më shumë situatën.