Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvajti dhe Iraku janë vendet ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, në kuadër të misionit të Gardës Kombëtare të Iowas, të Ushtrisë amerikane. Ai e konfirmoi këtë pas një vizite që i bëri sot FSK-së.
Hoti tha se këto vende kanë qenë si opsione që janë shqyrtuar dhe se tani pritet konfirmimi zyrtar. Sipas tij, FSK-ja mund të dërgohet në këto misione në muajin mars. Të martën, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e qeverisë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Iowas.
Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowas. Ky vendim më pas i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës.
FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.