Qeveria Kurti ka marrë vendim që ta shkarkojë bordin e Telekomit të Kosovës. Drejtoresha e këtij bordi, Besa Shatri dhe katër anëtarët e këtij bordi Skënder Hoti, Sead Ujkani, Suzana Andjelkovic dhe Shkëlzen Ibrahimi janë shkarkuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, raporton Gazeta Sinjali.
Arsyeja e shkarkimit të bordit të Telekomit të Kosovës, sipas ministres, Rozeta Hajdari ka qenë për shkak të shpenzimeve të tepërta, keqpërdorimi i detyrave si dhe punësimet e shumta, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali kohë më parë ka raportuar se kryetarja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri, së bashku me Sead Ujkanin kishin udhëtuar në Paris të shoqëruar nga krerët e Telekomit duke shkelur rregulloren për ndërmarrjet publike. Shatri, Ujkani dhe udhëheqësit e Telekomit kishin shpenzuar 7 mijë e 500 euro në këtë udhëtim.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ishte informuar fare për këtë udhëtim, ndërsa ishte informuar vetëm nga Gazeta Sinjali.
Po ashtu organizata ÇOHU kishe reaguar se Skënder Hoti ishte emëruar në këtë pozitë vetëm për shkak të afërsisë me Fatmir Limajn të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë, por Hoti kishte mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate.
Edhe Hoti është pjesë e anëtarëve të shkarkuar nga bordi Telekomit të Kosovës. Osman Ejupi ishte anëtari i bordit të Telekomit të Kosovës që u bë më i famshëm në Kosovë. Ai kishte arritur t’i punësonte katër fëmijët në këtë ndërmarrje, pas këtij skandali ai kishte dhënë dorëheqje rreth një vit më parë.
Gjatë ditës së sotme Gazeta Sinjali ka raportuar se bordi i Telekomit të Kosovës i kishte dërguar letër ministres së Zhvillimit Ekonomik, Rozeta Hajdari, ku ishin ankuar se janë publikuar informatat për shkarkimin e tyre si dhe për “injorimin” që sipas tyre po i bëhet Telekomit. /Gazeta Sinjali/