Gazeta amerikane Wall Street Journal ka hedhur dritë mbi atë që mendohet se është rasti i parë i Covid-19, që solli zgjerimin e zinxhirit të infektimeve deri në këtë çast. Bëhet fjalë për Wei Guixian (Guishian), një shitëse produktesh deti në markatën e qytetit Huanan, ku edhe nisën të evidentoheshin rastet e para të koronavirus.
Wei mori ndihmën e parë mjekësore në një klinikë vendase që e kategorizoi si rast gripi dhe më pas ajo u kthye në punë. Tetë ditë më vonë ajo u shtrua në spital teksa mjekët përpiqeshin të gjenin lidhjen mes zonjës Ëei dhe tregëtareve të tjerë të marketit. Rastet nisën të shtoheshin, megjithatë shumë prej personave të cilët shfaqnin këto simptoma, i drejtoheshin klinikave të ngjashme ku vajti edhe zonja Wei.
Wei Guishian, është ndër 27 rastet e para të karantinuara të Covid-19 që në dhjetor të 2019-ës; raste të cilat ngritën alarmin për përhapjen e kësaj sëmundjeje, megjithatë një alarm i tillë u vu në kontroll nga autoritetet kineze. Një prej doktorëve u kritikua ashpër nga autoritetet nën akuzën e “përhapjes së thash e themeve” teksa numri i të infektuarve po rritej.
Qeveria kineze ka mohuar deri tani akuzat mbi përgjigjen e saj ndaj shpërthimit epidemik, duke thënë se kjo përgjigje ishte e shpejtë dhe kohezive që në pikënisje, duke i “blerë kohë” shteteve të tjera në mënyrë që të përgatiteshin për rreziqet që i kanoseshin nga Covid-19.