Kancelari i i Austrisë, Sebastian Kurz, ka reaguar pas sulmeve terroriste në gjashtë lokacione të ndryshme të Vjenës, si pasojë e të cilave deri tani është raportuar se kanë vdekur 7 persona, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se shteti i Austrisë nuk do të frikësohet kurrë nga terrorizmi, duke shtuar se qeveria ka vendosur që ushtria federale të marrë përsipër mbrojtjen e territorit të Vjenës.
“Ne jemi duke përjetuar orë të vështira në republikën tonë. Unë do të doja të falënderoja të gjithë punonjësit e urgjencës që po rrezikojnë jetën e tyre sidomos sot për sigurinë tonë.
Policia jonë do të veprojë me vendosmëri kundër autorëve të këtij sulmi të neveritshëm terrorist. Më vjen mirë që oficerët tanë të policisë tashmë mund të nxjerrin një fajtor. Ne kurrë nuk do të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë me të gjitha mjetet.
Në mënyrë që policia të përqendrohet tërësisht në luftën kundër terrorizmit, qeveria federale ka vendosur që ushtria federale do të marrë përsipër mbrojtjen e pronës në Vjenë që nga tani”, ka shkruar Kurz në Facebook.
Kancelari austriak ka thënë se i gjithë vendi, viktimat, të plagosurit dhe të afërmit e tyre janë në mendimet e tij, të cilëve u shpreh keqardhje të thellë.
“Ne falënderojmë shtetet e Bashkimit Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për dhembshurinë dhe shprehjet e tyre të solidaritetit. U kërkoj të gjithë njerëzve në Vjenë të qëndrojnë në shtëpi”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/