image Kurti: Vrasjet e grave nga partnerët s’vijnë si akte spontane, janë kulmim i dhunës së mëhershme

Sociale

Kurti: Vrasjet e grave nga partnerët s’vijnë si akte spontane, janë kulmim i dhunës së mëhershme

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të fushatës kundër dhunës në baza gjinore, ku edhe mbajti një fjalim.

Ai përmendi emrat e grave që janë vrarë nga burrat dhe u shpreh se mund të ketë edhe gra të tjera, të cilat siç tha ai, nuk ua kemi dëgjuar historitë.

“Igballe  Llalloshi, Diana Kastrati,  Antigona Morina , Donjeta Pajazitaj,  Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Flora Omuri, Sevdije Berisha, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, Salabile  Mavrovqani, Sebahate Morina, Marigona Osmani, Lirie Qerimaj, Sadije Godeni, Hamide Magashi, këto janë vetëm disa prej emrave  të grave të vrara nga burrat në jetën e tyre, emrat e atyre që historitë e të cilave u bënë publike, që i dimë, por ku ta dimë edhe sa të tjera nuk janë më në jetë, por nuk ua kemi dëgjuar historinë”, tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se dhuna kundër grave e vajzave, nuk është dukuri vetëm në shoqërinë tone.

“Dhuna kundër grave e vajzave, nuk është dukuri vetëm në shoqërinë tonë, për fat të keq, secilin vit, në secilin shtet, ku më shumë e ku më pak, gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të burrave të frustruar e të dhunshëm, të tradhtuara e të lënduara nga më të afërmit e tyre, çdo ditë. Studimet  e bëra tregojnë se në botë një në tri gra përjeton dhunë fizike ose seksuale kryesisht nga partneri i saj. Dhuna ndaj grave dhe vajzave shkakton dëme të aty për atyshme dhe dëme afatgjate, këto dëme qoftë fizike, seksuale, psikologjike e emocionale, janë shkatërruese edhe në rastet kur epilogu nuk është vdekja”, u shpreh ai.

Tutje, Kurti tha se vrasjet e grave nga partnerët nuk vijnë si akte spontane, por, siç tha ai, janë kulmim i dhunës së mëhershme

“Dhuna ua pamundëson atyre pjesëmarrjen e plotë në shoqëri, i prek familjet e tyre, komunitetin e përbashkët, por edhe shtetin në tërësi. Si rrjedhojë e kësaj, ky fenomen na prek e na përketë të gjithë neve, andaj duhet adresuar së bashku. Vetëm me punë e aktivizëm të përbashkët mund të ndryshojmë mentalitetin shoqëror, për këtë na nevojitet solidaritet kombëtar, e solidaritet ndërkombëtar. Vrasjet e grave nga partnerët e tyre nuk vijnë si akte spontane, por janë kulmim i dhunës së mëhershme, të përjetuar në lidhje”, u shpreh tutje ai.

/GazetaSinjali/