image Kurti - veteranëve për protestën e paralajmëruar: Nuk zgjidhet situata me kërcënime e sulme

Politikë

Kurti – veteranëve për protestën e paralajmëruar: Nuk zgjidhet situata me kërcënime e sulme

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se nevojitet bashkëbisedim dhe konstruktivitet për t’u gjetur zgjidhja me veteranët e luftës.

Ai u bëri thirrje që një gjë e tillë të ndodhë dhe jo të ketë kërcënime e sulme jashtë e brenda Kuvendit të Kosovës.

Kështu u shpreh ai, teksa komentoi protestën e paralajmëruar nga OVL-UÇK për datën 26 të këtij muaji.

Kryeministri Kurti tha se duhet të trajtohet çështja e beneficioneve për veteranët e luftës, për të cilat janë të interesuar që të jenë sa më të larta.

“Në veçanti unë ju bëjë thirrje të gjithëve që këto t’i zgjedhim me gjuhën e fakteve dhe të dialogut, jo me kërcënime apo me sulme jashtë kuvendit apo brenda tij. Nuk ka një Qeveri e Republikës se Kosovës, e cila nuk ka shfaqur gatishmërinë, vullnetin, interesimin, për njohjen e mirënjohjen për falenderimin e pafundëm nga kategoritë e dala nga lufta, por duke mos e braktisur të vërtetën. Duke mos partizuar e politizuar. Qartazi zgjidhja mund të gjendet, nevojitet konstruktivitet, nevojitet bashkëbisedim. Seancat e Kuvendit janë seanca për të përfaqësuesit e popullit dhe populli ka folur me datën 14 shkurt 2021, do të flas sërish në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Organizatat e dala nga lufta paralajmëruan protestë me datën 26 korrik, në ditën kur sipas tyre, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë. Ata po e kundërshtojnë Ligjin për pagën minimale i cili nuk përfshinë këtë kategori./KP

/GazetaSinjali/