Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 15-vjetorin e themelimit të Njësisë Speciale Intervenuese, ka vizituar kampin e kësaj njësie.
Ai i përgëzoi për punën, angazhimin dhe kontributin pa kursim që në Kosovë të sundojë ligji dhe të ketë siguri për të gjithë qytetarët e vendit.
Kurti ka deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të mekanizmave shtetërorë si Policia e Kosovës, pa të cilët Kurti ka thënë se nuk mund ta mbajmë zhvillimin e progresin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve.
Ai ju ka thënë pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese se janë plotësisht të vetëdijshëm për nevojat e tyre dhe për mungesat që ekzistojnë, të cilat ju ka premtuar se do të trajtohen me prioritet jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga i gjithë kabineti qeveritar.
Fjalimi i plotë e Kurtit:
Dua t’i falënderoj sot të gjithë ata që ditë e natë, për muaj e vite, kontribuan, u angazhuan pa pushim, pa kursim, pa rezervë, në mënyrë që në Kosovë të sundojë ligji, të ketë siguri për të gjithë dhe në këtë mënyrë Republika e Kosovës të jetë vend i kushtetutshmërisë, i ligjshmërisë, i drejtësisë dhe i sigurisë.
Në veçanti dua të përshëndes kolonel Mentor Shabanin që është komandant i Njësisë Speciale Intervenuese me 52 zyrtarë, kolonelin Agron Nezaj, drejtor i drejtorisë së Njësive speciale me 378 zyrtarë, majorin Amir Gërguri, komandant i Njësisë speciale operative me 331 zyrtarë, kapitenin Muhamet Rushiti, shef i Njësisë për trajtimin e mjeteve eksplozive me 14 zyrtarë dhe togerin Ilir Gashi, komandant i Njësisë K9 me 44 zyrtarë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të qytetarëve tanë, por edhe në shërbim të mekanizmave shtetërorë si Policia e Kosovës, pa të cilët nuk mund ta mbajmë zhvillimin e progresin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarit të Republikës. Në të njëjtën kohë ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojat tuaja dhe për mungesat që ekzistojnë dhe gjithashtu për mundësitë që duhet t’i shtojmë. E ajo që duhet për Policinë e Kosovës, ajo duhet edhe për Qeverinë e Kosovës. Prej çështjes së mungesës së pajisjeve dhe armatimit në disa prej njësive, pastaj prej mbrojtjeve shtesë në kushtet e rrezikshmërisë së lartë, pastaj çështjes së pagës së ulët që është tek ne.
Mandej kontratat për shërbime të ndryshme të cilat duhet të shtohen dhe gjithashtu edhe te zvogëlimi i afateve kohore për çështjen e blerjes së pajisjeve dhe armatimit, që të gjitha këto dhe shumë të tjera janë preokupim i yni dhe do të trajtohen me prioritet jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga i gjithë kabineti ynë qeveritar.
Duke ju falënderuar dhe duke qenë përjetësisht mirënjohës për sakrificën tuaj, për angazhimin tuaj për punën tuaj të përditshme, të përvitshme që bëni për situatat e zakonshme dhe jashtëzakonshme në të cilat ju ballafaqoheni me rrezikun dhe që garantoni siguri për të gjithë neve, t’ua uroj 15 vjetorin në këtë datë e cila është e shënuar për kombin shqiptar, ndonëse jo edhe vetëm me krenari dhe mburrje, por edhe me dhembje e pikëllim.
17 janari, Dita e Njësisë Speciale intervenuese koincidon edhe me 17 janarin e vdekjes së Skënderbeut, e me 17 janarin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës, e Kadri Zekës.
Mirëpo kjo neve vetëm sa na mbushë me më shumë kurajo, sepse e dimë prej nga vijmë e çfarë borxhi të madh i kemi edhe heroit tonë kombëtar që e formësoi identitetin tonë në mesjetë dhe këtë e ushqejmë edhe sot e kësaj dite e deri tek para 40 viteve tre heronjtë të cilët po përpiqeshin që të bashkonin organizatat e ndryshme për lirinë e vendit tonë, për Republikën e Kosovës.
Andaj me amanetin e të parëve tanë që sakrifikuan gjithçka, por edhe me mendjen tek dëshirat e ëndrrat e qytetarëve të Republikës, do të jemi bashkë në secilën situatë në mënyrë që ju ta keni më të lehtë e Republika e Kosovës të shkojë mbarë e mirë në vitet e dekadat në vijim.
Ju faleminderit të gjithëve dhe secilit përzemërsisht.