Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Maqedoninë e Veriut që sot edhe zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti e ka thënë se kjo është një ngjarje e lumtur për Kosovën, pasi ai vlerëson se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO sjellë më shumë siguri.
“Sot, fqinji ynë, Maqedonia e Veriut u bë pjesëtari i tridhjetë i NATO-s, aleancës ushtarake që ofron siguri e mbrojtje për demokracitë. Për Kosovën kjo është ngjarje e lumtur, sepse sjell më shumë siguri në fqinjësi, dhe e mban larg mundësinë e ndërhyrjeve nga fuqi të tjera. Është ngjarje pozitive përgjithësisht edhe për shqiptarët, pasi Maqedonia e Veriut është një shtet ku jetojnë shumë bashkëkombës tanë”, thuhet në urimin e kryeministrit në detyrë.
Kurti thotë se është i bindur se nuk do të vonojë shumë edhe anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.
“Si kryeministër në detyrë i Kosovës i uroj institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore për këtë këtë hap përpara, ndërkohë që shpreh bindjen se nuk do të vonojë shumë edhe hyrja e Kosovës në NATO, me të cilën kemi një marrëdhënie strategjike të shkëlqyer”, ka përfunduar Kurti./Gazeta Sinjali/