Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka uruar komunitetin Rom për Ditën Ndërkombëtare të Romëve.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se nuk do të pushojnë e nuk do të ndalen së punuari derisa të gjithë qytetarët pa përjashtim e pa dallim të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për zhvillim.
“Nuk ndalemi sepse, për dallim nga tjerët, ne progresin shoqëror nuk e matim me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në fund. E në fund, fatkeqësisht janë shumë: afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se varfërinë duhet ta luftojmë me edukim, kurse paragjykimet me bashkëpunim.
“Kushtetuta jonë e cila nesër e ka ditën e saj u garanton minoriteteve të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës. Kemi ligje, strategji, agjenci e fonde të veçanta që më shumë na veçojnë e dallojnë sesa që na bëjnë bashkë”,ka shkruar Kurti.
Ai tha se qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta. Prandaj ‘ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive’, tha Kurti.
Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit:
Të dashur qytetarë të komunitetit Rom,
Më lejoni t’ju uroj e përgëzoj për Ditën Ndërkombëtare të Romëve!
Është e vërtetë që si individ ne kemi tregime të veçanta por si shoqëri ndajmë fatin e njëjtë sepse kemi shtetin e përbashkët.
Ne nuk pushojmë e nuk ndalemi së punuari derisa të gjithë qytetarët pa përjashtim e pa dallim të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për zhvillim.
Nuk ndalemi sepse, për dallim nga tjerët, ne progresin shoqëror nuk e matim me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në fund. E në fund, fatkeqësisht janë shumë: afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Por varfërinë duhet ta luftojmë me edukim kurse paragjykimet me bashkëpunim.
Kushtetuta jonë e cila nesër e ka ditën e saj u garanton minoriteteve të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës. Kemi ligje, strategji, agjenci e fonde të veçanta që më shumë na veçojnë e dallojnë sesa që na bëjnë bashkë.
Mungesa e edukimit, punësimit e banimit dhe e pjesëmarrjes në jetën publike nuk janë problem i komuniteteve që ato duhet t’i zgjidhin të vetëm e ndaras por problem yni i përbashkët.
Qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta. Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive.
E ardhmja jonë është tek edukimi cilësor i fëmijëve tanë, andaj do të heqim barrierat për mësim sikurse distanca e largët nga shkollat, kualiteti i dobët e ushqimi i munguar. Secili fëmijë do të ketë kushtet e barabarta për mësim cilësor pa paragjykuar se prej nga vjen dhe sa fitojnë prindërit e saj apo tij.
Le të punojmë çdo ditë bashkë sepse kemi shtetin dhe ardhmërinë të përbashkët!/Gazeta Sinjali/