image Kurti urdhëron që të mos transmetohet një pjesë e mbledhjes për koronavirusin

Kosovë

Diskutimi/ Kurti urdhëron që të mos transmetohet një pjesë e mbledhjes për koronavirusin

news image

Me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është mbyllur për media një pjesë e mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për parandalimin e infeksionit me virusin Covid-19.

Fillimisht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar sesi po shkon zbatimi i masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa në fund të këtij raportimi, kryesuesi i këtij komisioni dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar që të ndërpritet transmetimi i kësaj mbledhjeje, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Kurtit, për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme të përshtypjeve të anëtarëve të këtij komisioni lidhur me koronavirusin, duhet të ndërpritet transmetimi, në mënyrë që gjithashtu të diskutohet hapur për ato të cilat mund të mos jenë fakte.

“Meqenëse jemi të interesuar të dëgjojmë edhe përshtypjet tuaja që mund të mos jenë fakte, që mund të mos jenë ende fakte dhe për shkak se ato do të mund të reflektoheshin në keqinterpretime të ndryshme, kërkoj që të ndërpritet transmetimi, kjo mbledhje të jetë e mbyllur. Të diskutojmë hapur për ato çfarë dimë e kemi dëgjuar dhe natyrisht vendimet që do t’i marrim do t’i kemi publike”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë që transmetimi do të hapet përsëri kur do të bëhen publike vendimet e radhës për parandalimin e pandemisë Covid-19.

“Në mënyrë që diskutimi të jetë i shlirshëm, që shqyrtimi të jetë i hollsishëm, besoj që është më mirë që ta mbyllim për transmetim publik këtë mbledhje në vijim e në fund do ta hapim sërish për t’i bërë publike vendimet që do t’i marrim”, ka deklaruar Kurti.

Komisioni i Posaçëm për parandalimin e infeksionit me koronavirusin Covid-19 u votua dje në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky komision e ka për obligim që të shpërndajë materialet e domosdoshme nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, te policia, doganierët, e te të gjitha shërbimet tjera emergjente. /Gazeta Sinjali/